Pyetjet më të shpeshta

1. Kush ka të drejtë aplikimi me Programin E4E?

Vetëm organizatat joqeveritare të regjistruara në Kosovë kualifikohen për aplikim.

2. A mund të aplikojmë me më shumë se një projekt propozim?

Po. Secila orgnizatë jo-qeveritare ka të drejtë të aplikoj me më shumë se një propozim, por Programi E4E nuk ka të drejtë t’i financojë më shumë se një propozim nga e njëjta organizatë

3. Projekt propozimi im ndërlidhet me 2 tema të Programit E4E. A mund ta rrumbullakësoj në Shtojcën A më shumë se një temë?

Jo. Projekt propozimi juaj duhet të koncentrohet vetëm në njërën nga pesë temat e Programit E4E. Për shembull, nëse aplikoni për temën 2) Fuqizimi i grave përmes rritjes së vetëdijësimit rreth të drjetave pronësore, ju duhet ta rrumbullakësoni dhe ta shënoni emrin e temës të Shtojca A. Nëse propozimi juaj lidhet sadopak edhe me temat tjera, këtë lidhje logjike mund ta cekni tek pjesa e Analizës së problemit në Shtojcën A, por mos harroni që fokusi duhet të jetë vetëm në temën që përzgjidhni dhe kjo të ceket qartë në pjesën e parë të Shtojcës A.

4. A është e kualifikueshme/pranueshme ideja me të cilën dëshirojmë të aplikojmë?

Programi E4E ka përgatitur Kërkesën për Aplikim, ku mund të gjinden të gjitha informatat rreth aplikimit dhe aktivitetet/idetë që mbështeten por nuk kufizohen nga Programi. Ju inkurajojmë ta lexoni me kujdes Kërkesën për Aplikim në këtë link:

www.advocacy-center.org

Idetë dhe propozimet e aktiviteteve tuaja vlerësohen nga Komisioni i jashtëm vetëm pasi të aplikoni. Çdo përkrahje apo mospërkrahje paraprake e ideve nga Programi E4E, do të dëmtonte procesin e drejtë dhe transparent të vlerësimit të granteve nga Komisioni i jashtëm dhe do të merrte ngjyra anshmërie të një procesi konkurues dhe të drejtë.

5. Çka është kontributi në natyrë (in kind contribution)?

Kontributi në natyrë nënkupton 15% të shumës së aplikimit që organizata duhet ta dëshmojë në aplikacion të Shtojca A dhe Shtojca B e buxhetit. Kontributi në natyrë mundet por nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kontribut në vlera monetare, por mund të jetë edhe kontribut në vlera tjera, siç janë llaptop, tavolina, qira e zyres, punë vullnetare nga stafi, etj.

6. Si ta sigurojmë numrin Duns?

Numri Duns është kriter i cili kërkohet të Shtojca A e aplikimit. Numri Duns nuk është kriter i domsdoshëm për aplikim, por nëse organizata juaj vlerësohet për financim, atëherë duhet patjetër ta keni këtë numër, pa të cilin mund t’ju refuzohet granti. Nëse nuk e keni numrin Duns, ju rekomandojmë ta nxjerrni përmes këtij linku:

www.fedgov.com

7. Në çfarë gjuhe mund ta shkruaj projekt propozimin?

Propozimi mund të shkruhet në njërën nga tri gjuhët, atë shqipe, serbe dhe angleze. Komisioni i pranon aplikacionet në të tri gjuhët, pa dallim.

8. Projekt propozimi im tejkalon 15 faqe. A pranohet si i tille?

Projekt propozimi nuk duhet t’i tejkaloj 15 faqe.

9. Nëse propozimi ka një ose me shumë organizata partnere, a duhet të dorëzohen vërtetime tatimore edhe nga organizatat tjera partnere?

Jo. Dorëzimi i vërtetimit tatimor duhet të bëhet vetëm nga organizata udhëheqëse. Organizata/t partnere nuk janë të obliguar të dorëzojnë vërtetim tatimor.

10. A duhet ta dorëzoj propozimin në mënyre elektronike apo fizike?

Propozimi duhet të dorëzohet në dy forma, atë elektronike përmes e-mailit [email protected] dhe në mënyrë fizike në zyret e ATRC në adresën Gazmend Zajmi nr. 20 Prishtinë.

11. A mund të aplikojnë organizatat joqeveritare në partneritet me biznese të regjistruara në Kosovë?

Organizatat jo qeveritare mund të aplikojnë në partneritet me biznese të regjistruara në Kosovë, por bizneset në rolin e partnerit nuk mund të implikohen në buxhetin e paraparë.

12. A mund të aplikoj në formatin PDF?

Jo. Aplikimi bëhet vetëm në formatin Word për Aneksin A dhe formatin Excel për Aneksin B.

13. Në çfarë valute duhet të planifikohet dhe dorëzohet buxheti?

Buxheti planifikohet dhe dorëzohet në dollarë amerikan.

14. A duhet t’i plotësoj të gjitha fushat/pyetjet në Aneksin A?

Po. Propozimet duhet t’i plotësojnë të gjitha fushat/pyetjet në Aneksin A dhe Aneksin B. Mosplotësimi i pyetjeve mund të rezultoj me diskualifikim teknik të propozimit.

15. A duhet ta nënshkruaj personi përgjegjës propozimin në fund të Aneksit A?

Propozimi nënshkruhet nga personi përgjegjës i organizatës jo qeveritare në formatin e kopjes fizike. Kopja elektronike nuk është e obligueshme të nënshkruhet.

16. Vërtetimi tatimor i organizatës është nga viti i kaluar. A mund ta përdorim të njëjtin për aplikim?

Vërtetimi tatimor nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që dëshmon se organizata është e regjistruar në ATK dhe nuk mban borgje apo obligime ndaj ATK-së ka afat kohor vetëm tre muaj. Vërtetimet tatimore me të vjetra se tre muaj nuk merren parasysh dhe kjo rezulton me diskualifikim teknik të propozimit.

17. Çfarë nënkupton pyetja në Aneksin A, numër 2. Sinergjia me aktivitetet tjera të USAID/Kosova? 

Kjo pyetje ka të bëjë me lidhshmërinë e propozimit tuaj me programet tjera që mbështeten nga USAID të cilat janë duke u zbatuar në Kosovë. Për shembull, nëse aplikoni për temën 2) Fuqizimi i grave përmes rritjes së vetëdijësimit rreth të drejtave pronësore të grave, programet tjera të USAID siç janë: Property Rights Program (PRP) apo Justice Matters që merren me çështje të njëjta, ju duhet ta sqaroni se si lidhen aktivitetet tuaja në propozim dhe ku qëndron përputhshmëria me aktivitetet e programeve të përmendura apo tjera të ngjashme. Kjo pyetje kërkon pak hulumtim nga ana juaj në lidhje me programet tjera të USAID të cilat mund të kenë përputhshmëri me natyrën e propozimit tuaj. Qëllimi është që propozimet të vijnë me ide kreative dhe të koordinojnë disa nga aktivitetet me edhe me programet tjera të USAID.